Intervistohet Mësuesi i
merituar,
gazetari, studiuesi dhe shkrimtari
Bardhyl Xhama në 75-vjetorin e lindjes.
Nga Alba Marku
Botuar ne forme shkrimi ne , në”Mësuesi”, 11 qershor 2008
Intervistuesi
1. Flitet se keni tri data për ditëlindjen tuaj, 31 qershor, 30 qershor dhe 13 qershor 1933. A është
e vërtetë?
Përgjigje:
Edhe po, edhe jo.
Intervistuesi:
Si ta kuptojmë këtë dhe cila është e sakta.
Përgjigje.
Deri para 15 vjetësh në dokumentet e mia figuron të kem
lindur më 31 qershor, edhe pse dihet që qershori ka 30 ditë. Pra, ligjërisht nuk kisha ditëlindje. Nuk gjeta ndonjë nëpunës
të logjikshëm që ta korrigjoja. Po kur do të merrja pasaportën për jashtë shtetit, kompjuteri nuk e “pranoi” 31
qershorin, sepse u tregua më i logjikshëm se njerëzit. U bë një gjullurdi e madhe dhe ditëlindja u vendos “me urdhër nga lart” më 30 qershor. Pra, zyrtarisht tani jam i 30 qershorit. Por praktikisht, dhe këtë nëna e kishte të fiksuar mirë, unë kam lindur një ditë të martë, më 13 qershor
të vitit 1933
Intervistuesi:
- Arritët 75 vjeç? Është kënaqësi e veçantë të festoni një përvjetor të tillë të plotë, kur, me sa
shohim, nuk e tregoni këtë moshë.
Përgjigje:
- Nuk e tregoj?!... Oh, sapo ma bëni qejfin! Kështu më thonë dhe ish-nxënës apo shokë, me të cilët
s’jemi parë prej kohe. Po unë u përgjigjem: Qofsha si më shihni e mos qofsha
si jam. Se pleqëria ( apo të themi më mirë mosha) bën të vetën, shfaqet tensioni arterial, zemra, tëmthi, sytë e ku di unë.
Edhe unë nuk jam i imunizuar nga këto telashe. Dy herë jam operuar, por fatmirësisht
në Amerikë. Dhe vjen një ditë, që, pa pritur e pa pandehur, vd...
Intervistuesi:
Mos e përmendni atë fjalë!...Vdekja është larg, nuk guxon t’u afrohet... Por, më thoni të vërtetën,
ama, keni frikë prej saj?
Përgjgije
- Aspak. Asnjëherë. Edhe kur isha më i ri, nuk e kam përfillë vdekjen. Pleqërinë po, e kam frikë. Ajo
të mund, të cfilit, të tall, të poshtëron, kur vdekja të lë qëllimisht në zotërimin
e saj dhe të merr atëherë kur s’ke më asnjë vlerë. Atëherë njerëzit thonë:
bëri mirë që iku, se u katandis për ibret, edhe vdekja e kishte harruar e jo më njerëzit.
Intervistuesi:
Është e vërtetë se këtë vit do të festoni disa përvjetorë të plotë?
Përgjigje:
Plotësisht e vërtetë. I pari është 75 vjetori im në qershor.
I dyti është në korrik, 50-vjetori i ditëlindjes së djalit, Edit,. që banon në Amerikë prej mbi 10 vjetë. I treti…I
treti është krejt i veçantë: Këtë vit, në tetor, me gruan, Ferasetin, festojmë 55- vjetorin
e martesës.
Intervistuesi:
Si lumë ju!... 55 vjet martesë!... Brezi ynë zor se do të arrijë në përvjetorë të tillë!... I bie kështu
të jeni martuar 20 vjeçarë, apo jo?! Si shumë të rinj, më duket…A jeni bërë pishman?
Përgjigje
Jo, aspak. Në atë kohë unë sapo isha emëruar mësues. Në muajt e parë të martesës na dukej
sikur ishim dashnorë. Pastaj erdhën fëmijët, dy vajza e një djalë, një në çdo katër vjet. Kemi kaluar një jetë të gjatë, me
gëzimet e hallet e kohës. Po kemi qenë e jemi të lumtur, mbi të gjitha se i shkolluam të tre fëmijët, se u martuan e punojnë
të gjithë, se kemi 7 nipër e mbesa, më të vegjlit 17 vjeçarë, më të mëdhenjtë 30 vjeçarë.
Intervistuesi:
Duan të thonë se në shkollën e mesme në Gjirokastër keni qenë jo vetëm nxënës i shkëlqyer
në mësime, por edhe “artist”, “çapkën” e “simpatik”. Është e vërtetë? Si shpjegohet që
nuk ia vure syrin ndonjë gjimnazisteje?
Përgjigje:
Janë tri çështje dhe nuk i përmbledh dot me një përgjigje.
Nxënës i mirë kam qenë edhe në fillore, edhe në shtatëvjeçare. Maturën pedagogjike e mbarove me nota të shkëlqyera dhe po
atë vit e po në atë shkollë, më 1953, Ministria më emëroi “profesor” gjimnazi. Edhe Universitetin për gjuhë e
letërsi me korrespondencë e mbarova me rezultate të larta në vitin 1960.
Sa për çapkën!...Nuk besoj të kem qenë tamam i tillë...Ndofta pak çapkën e pak artist e pranoj. Dhe
e dini pse? Gjatë gjithë viteve të shkollimit, por edhe kur kam punuar në arsim, jam marrë shumë me sport dhe me art e kulturë.
Gjatë shkollimit të mesëm në gjimnazin Asim Zeneli kam qenë anëtar i rrethit letrar, i teatrit, i baletit, në kor, more dhe
rolin e solistit kam bërë. Le në sport!... Përfaqësova Gjirokastrën në basketboll e volejboll, në hendboll e në atletikë në
kampionatet kombëtare. Po që merrja pjesë dhe në rrethin e vizatimit! Dhe më vajti mbarë, se atë vit që mbarova pedagogjiken
dhe më emëruan “profesor” , siç thashë, lënda kryesore që jepja ishte matematika e gjeometria, por ama nxënësve
maturantë, shokëve të mi të një viti më parë, u jepja dhe vizatim e metodikë vizatimi.
E lash për më në fund këtë çështjen e “simpatikut”, se është ca me siklet. Më duket sikur
do të them “Doni më për Belulin?”. Më pëlqen të përgjigjem me fjalët
e Dritëro Agollit, shokut tim në gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokastër dhe në të njëjtin rreth letrar të atyre
viteve. Në fjalën e urimit në festën e 70-vjetorit tim, pra pesë vjet më parë, Dritëroi tha:
“Në atë kohë ka qenë një nga njerëzit që binte në
sy, jo vetëm si njeri i mençëm dhe tepër i edukuar, si një nxënës me të gjitha kërkesat për të qenë i shkëlqyer, por ai ishte
dhe njeri artist, jo vetën në punën e tij, por edhe në pamje dhe të gjitha. Ka qenë dhe mbetet tepër simpatik. Atëherë, do
të thosha unë, që të gjitha vajzat e gjimnazit, apo, more të gjithë qytetit, e kishin mendjen te Bardhyli”.
E kuptuat?... Mundet të kem qenë dhe ca simpatik!... Po ku ta dija unë se isha i tillë?... Se Dritëroi,
( vini re me kujdes), nuk thotë që Bardhyli e kishte mendjen te vajzat e gjimnazit e të qytetit, po ato e kishin te Bardhyli.
Intervistuesi:
E kuptova, e kuptova mirë...Vajzat të quanin simpatik, të donin, të adhuronin në një farë kuptimi,
siç thotë dhe Dritëroi. Ndërsa ju..., nuk ia hodhët sytë asnjërës!... Dhe shkuat
e u martuat në Delvinë. Eh, ç’djalosh i turpshëm dhe i edukuar!
Përgjigje:
Ore, prit, prit të merremi vesh. Se më duket po më quani për djalkë mamaje. Si murg fare nuk kam qëndruar...
Gjirokastritet qenë vajza të mira, të bukura, joshëse, të sinqerta...Ndodhte që dhe të na qepeshin ndonjëherë... Çështë e
vërteta, herë na qepeshin e herë u qepeshim...Ju doni që unë të hapem për dashuriçkat e rinisë?... Aha, kot mundoheni, ato
janë kyçur përgjithmonë.
Po fati më çoi në Delvinë, te Feraseti. Kur unë vazhdoja pedagogjiken, në shtëpinë e saj banonte me
qira edhe familja ime, sepse babai qe drejtor në shkollën shtatëvjeçare të qytetit. Vajzën e kishin pëlqyer fillimisht nëna
e babai, e pëlqeva dhe unë kur shkova me pushime. U njohëm, u dashuruam dhe u
martuam.
Pesëdhjetë e pesë vjet kemi kaluar bashkë!... Fëmijët duan ta festojmë. Ne u themi të presim 60-vjetorin, se është më i plotë. Po ata ngulin këmbë për 55-sën, se ...mos humbasin rastin më vonë! Le
të bëhet më e mira!
Intervistuesi:
Keni punuar mbi 36 vjet në sektorët e arsimit, në mos gabohem. E keni nisur si mësues gjimnazi në Gjirokastër
në moshën 20 vjeç në vitin 1953, pastaj mësues në Delvinë, drejtor gjimnazi në Delvinë e Sarandë, inspektor arsimi e drejtor
në kabinetin pedagogjik në Sarandë. Në vitin 1969 vjen në Tiranë, fillimisht redaktor e më pas sekretar kolegjiumi në gazetën
“Mësuesi, zëvendësdrejtor në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe më në fund shef i sektorit të gjuhës e letërsisë
në Institutin e Studimeve Pedagogjike, gjer në vitin 1989, kur dolët në pension.
Si e keni ndjerë veten në gjithë këto detyra?
Përgjigje:
Pranueshëm!...Më të vështirë kam pasur vitin e parë si mësues në gjimnazin “Asim Zeneli”
në Gjirokastër. Isha tepër i ri, 20 vjeç, sapo përfundova maturën. Jepja matematikë dhe aritmetikë racionale në klasat e para
gjimnaz e pedagogjike. Ndodhte që u bëja mësim edhe shokëve të mi të një viti më parë. Po e kalova me sukses provën, edhe
falë vullnetit e përgatitjes, por edhe ndihmës të kolegëve, që më kishin pasur nxënës.
Nderim të veçantë kam për Arta Franjën, mësuesen e talentuar shkodrane, që nuk më la asnjë çast të ligështohesha.
Intervistuesi:
Po më me lehtësi ku keni punuar?
Përgjigje:
Asnjëri nga sektorët nuk ka qenë i lehtë. Kam pasur të bëj me probleme të mësimit dhe të edukimin të brezit të ri, me kolektiva të gjera mësuesish e punonjësish. Por shpresoj se
kam punuar kudo me ndërgjegje, me pasion dhe i përkushtuar në detyrë.
Po kënaqësinë më të madhe e kam ndjerë si drejtor gjimnazi, më pak në Delvinë
e për rreth katër vjet në Sarandë. Kolektivit të mësuesve e nxënësve të gjimnazit “Hasan Tahsini” i gjeta e më
gjeti zemrën. Veç që arritëm përparimit të lartë e cilësor dhe u radhitëm ndër shkollat më të mira të vendit, por zhvillonim
edhe shumë veprimtari artistike, kulturore e sportive. Do të mbahen mend shfaqjet
e përbashkëta artistike mësues-nxënës, marshimet e ekskursionet, ndeshjet e garat sportive, maratona e notit, konkurset mësimore
etj. Dhe po e pohoj që edhe unë kam qenë gjithmonë pjesëmarrës dhe në ballë të këtyre veprimtarive.
Jam ndjerë i kënaqur edhe në gazetën “Mësuesi”, sepse kemi pasur një kolektiv të mirë dhe
puna përkonte me natyrën time. Kam shkruar qindra artikuj e studime për jetën e shkollave.
Por kam shëtitur edhe gjithë Shqipërinë, skaj më skaj, kam njohur qindra mësues,
banorë mikpritës e arsimdashës të zonave të largëta, kam shijuar bukurinë e Valbonës,
të Thethit e të Lurës, por dhe magjinë e Butrintit e të Volorekës, gjiret
mahnitës të Ksamilit e të Jalit e shumë e shumë të tjera.
Intervistuesi:
Me sa kuptoj, jeni i vetëkënaqur me punën që keni bërë.
Përgjigje:
Jo, nuk jam i vetëkënaqur. Vetëkënaqësia dhe mburrja të dëmtojnë. Unë jam ndjerë i
kënaqur kur dikush tjetër ka vlerësuar e çmuar punën time. Dhe ky dikush, në radhë të parë, ka qenë nxënësi, prindi, mësuesi,
pra, masa e njerëzve që u shërbeva.
Por, të mos e mohoj, më ka kënaqur e më ka gëzuar edhe vlerësimi i organeve të arsimit e të pushtetit,
sepse përveç dy medaljeve, jam nderuar edhe me dy Urdhëra “Naim Frashëri” të klasit të tretë dhe të dytë, si dhe
me titullin e lartë “Mësues i Merituar”. Dhe këto vlerësime janë për
punën si mësues, drejtues i organeve arsimore, si gazetar e si studiues në fushën e dijeve e të metodave mësimore-edukative.
Intervistuesi:
Le të kthehemi tani te letërsia për fëmijë. Shoku yt Skënder Hasko
ka thënë se ju jeni shkrimtar i detit dhe vetëm aty nga viti 1987 keni dalë në stere. Është një shaka?
Përgjigje:
Në këtë rast vlen shprehja e popullit “Shakaja është
gjysma e së vërtetës”. Duke qenë banor i Sarandës, notar e zhytës i aftë, peshkatar e gjuajtës me pistoletë në thellësi, u bëra një njohës i mirë i mistereve të detit dhe i brigjeve
të tij. Kjo më ndihmoi të hedh në letër fillimisht disa përralla, të cilat i përmblodha në një vëllim me titullin” Përrallat
e detit”, që u botua në vitin 1975. Pas dy vjetësh përshkrova aventurat tona të gjuetisë në novelën “Zhytësit
e vegjël të thellësive”, pastaj erdhi romani fantastiko-shkencor “ Ekspedita
e Kaltër” në vitin 1980. Më vonë, siç thotë Skënderi, dola nga deti në stere (tokë) dhe botova vëllimin me përralla
“Zjarrfikësi i pyllit” dhe novelën “Tërfili me katër fletë”. Kaq deri më 1990.
Intervistuesi:
Po më pas? Vazhduat në tokë apo iu kthyet prapë detit?
Përgjigje.
Pas viteve ‘90 erdhën kohë të trazuara edhe në letërsi.
Edhe po të kishe diçka të shkruar, s’kishe ku ta botoje e me se ta botoje. Po ekonomia e tregut i nxori njerëzit e aftë
që hapën shtëpi botuese private. Fillimisht mua më ndihmoi “Toena”,
botova dy vëllime me rrëfenja “Pse qau delfini?” dhe “Djaloshi
që kapte rrufetë”, si dhe romanin “ Në kthetrat e Piratit”( Me këtë u riktheva përsëri në det, sepse ngjarjet
zhvillohen në bregdetitin e nëndetin e Sarandës e të Ksamilit).
Pas vitit 2000 kam botuar e ribotuar edhe në shtëpi të
tjera botuese, si te “Extra”, “Neraida”, “Erik”,
”Mësonjëtorja” e ndonjë tjetër, të cilat i falënderoj, sepse i kanë sponsorizuar vetë botimet e ribotimet e mia.
Intervistuesi:
Me sa kuptoj, jeni bërë i pasur. S’keni paguar asnjë qindarkë për librat e botuara dhe të ribotuara
dhe keni marrë goxha honorare. Në mos gaboj, që nga viti 1996 e këtej keni botuar dhe ribotuar
mbi 20 libra për fëmijë. Ku i keni investuar gjithë këto para?
Përgjigje:
Po bëni shaka?!... Me që po flasim miqësisht,
po ju tregoj të vërtetën. Shpresoj se edhe ju e dini vlerën
e shpërblimit të autorit. Është më se qesharak. Edhe librat e mi janë botuar e ribotuar në 500 deri në 1000 kopje, edhe pse
shiten e pjesa më e madhe e titujve nuk gjenden nëpër librari. Unë jam shpërblyer e shpërblehem kryesisht me 10 për qind të
çmimit të librit, duke hequr 20 për qind e më shumë të fitimit të librarit dhe
10 për qindëshin e tatim fitimit. Pra, kam marrë më pak se një pension pleqërie
për çdo libër të botuar apo të ribotuar, kur shitësi librar apo dhe i kioskave merr dyfishin. Dhe të mos harrojmë se shpërblimin
që marr për një libër e kam harxhuar për kompjuterizimin, shtypjen e materialit,
printimin, skanimet etj., kur dihet se vetëm një kuti bojë e zezë për kompjuterin kushton më së paku 30-40 mijë lekë të vjetra.
Por populli ka një shprehje të bukur: “Më mirë puno kot, se sa të rrish kot”. Këtë po zbatoj dhe unë dhe jam pajtuar
me varfërinë e kohës, se, së paku, diçka krijoj, u shërbej fëmijëve me krijimtarinë time artistike, kënaq ata, por ndjej kënaqësi
dhe për vete. Ja, pra, ky është investimi që pyetët ju. Unë investoj mendjen, talentin e punën e jo paratë. Ato i “grin”
dhe i përlan ekonomia e tregut .
Dhe, së fundi, a jam bërë i pasur, pyesni ju. Do t’u them se jam shumë i pasur, por pa pare në
banka dhe në kasaforta, pa pasuri të tundshme e të patundshme. Jam i pasur se kam gruan, tre fëmijë të martuar dhe 7 nipër
e mbesa që më mbushin shpirtin me ngazëllim. Pasurohem me dashurinë që më japin fëmijët
e shkollave, anembanë atdheut, në takimet që organizojmë me ta. E ndjej veten më të lumturin e më të pasurin e botës kur më
rrethojnë e më përqafojnë me sinqeritetin e moshës, kur më pyesin e më flasin për librat e mi. Eh, çdo njeri lumturinë e kupton
sipas pikëpamjes së vet.
Së paku, unë do ta lë një pasuri letrare për brezat, 12 libra artistikë të botuar për fëmijët, tetë
prej të cilëve me çmime të fituara në konkurset kombëtare dhe, së fundi, “Çmimin e Karrierës” më 2003. Shtoi,
pastaj, kësaj pasurie studimet shkencore-pedagogjike, artikujt, teletregimet
e telenovelat, pjesët për teatrot e kukullave, skenarët e filmave dokumentarë etj. që kam shkruar në vite. Edhe këto janë
pasuri që mbeten.
Intervistuesi:
Sikur më kini bindur me ato që thatë. Më tepër desha t’u ngacmoja, se e di që shkrimtarët janë
nga shtresat intelektuale më të varfra të shoqërisë. Por, me sa duket, Shoqata juaj e Shkrimtarëve për Fëmijë u vlerësoi me
çmimin e Karrierës në 70 - vjetor dhe me kaq puna juaj perëndoi. Është kështu?
Përgjigje:
Prapë po gaboni, ose vazhdoni të më ngacmoni. Ende e ndjej
veten të fuqishëm, ende nuk më kanë shteruar energjitë krijuese, por edhe ato jetësore. Edhe pas vitit 2003 kam krijuar e
po vazhdoj të krijoj ende. Botova një vëllim me përralla e rrëfenja me titullin “Arratisje nga kafazi” te “Erik” në vitin e kaluar, është shtypur e po bëhet gati për treg vëllimi me 60 rrëfenja
“Pëllumbi me fjongo të kuqe” te “Toena”, është gati ribotimi i përmirësuar e i ilustruar me ngjyra
i novelës “Zhytësit e vegjël të thellësive” nga “Extra” etj. Kemi përfunduar, së bashku me tim vëlla,
Agronin, një botim për jetën e veprimtarinë arsimore e patriotike të babait tonë Lame Xhama, Mësues i Popullit, që së shpejti
do të shohë dritën e botimit. Punoj, punoj çdo ditë. Kompjuteri më është bërë
pjesë e gjymtyrëve dhe e mendjes sime.
Pra, nuk ka mbaruar karriera me “Çmimin e Karrierës”.
Intervistuesi:
Më keni befasuar me përgjigjet që më keni dhënë. Edhe pse kisha rrëmuar në jetën tuaj, e kuptoj se
në pyetjet e mia ka pasur ndonjë mangësi, ndonjëherë dhe tendencë e shaka. Po dijeni se gjithçka e kam bërë me mirësi, me
zemër, me sinqeritet, me qëllim që të dilnin në pah ato gjëra që karakterizojnë jetën e veprimtarinë tuaj. Shpresoj që të
mbetemi miq, edhe pse kemi shumë diferencë në vite. Miqësia nuk e njeh moshën.
Më në fund, dua t’ju uroj jetë të gjatë e të shëndetshme, mendërisht e fizikisht.
Dëshiroj ta përfundoj këtë intervistë me fjalët e të madhit Dritëro, kur shprehet për ju në 70-vjetorin e lindjes
“Bardhyli ka dhënë një kontribut të shquar në lëmin e letërsisë për fëmijë, që nga libri i parë
"Përrallat e detit" e deri te "Djali me tre brirë" i vitit 2002. Ka qenë zhytës i shkëlqyer e notar shumë i mirë dhe jo vetëm
se ka lindur e është rritur në bregdet, por është vetë person i tillë. Se ka njerëz që lindin në bregdet, po mbyten në një
legen me ujë. Për këtë gjë arriti dhe 70 vjet. Po ma merr mendja se është një kockë e fortë, që do të arrijë mbi 85, them
se afër 101, veçanërisht në këtë shekull, që do të na arrijë mosha mesatare 145
vjet”.
Urime, pra, rrofsh 145 vjet, siç thotë Dritëroi që ti e ke për zemër. E kalofshi gëzuar me familjen,
farefisin dhe miqtë e shokët e shumtë anekënd vendit.
Përgjigje:
Shumë faleminderit! Shëndet e gjithë të mirat në punë
e në jetë.
Tiranë, maj –qershor
2008