“ Zjarrfikësi i pyllit”
- Përralla -
Autori: Bardhyl Xhama
Shtëpia Botuese “N. Frashëri”
R e c e n s ë
Vëllimi me përralla “Zjarrfikësi i pyllit” është botuar
nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në vitin 1987 dhe nuk është
ribotuar më si libër më vete. Disa nga përrallat e librit janë ribotuar në libra të tjerë të mëvonshëm.
Libri përmban njëmbëdhjetë përralla dhe ka 65 faqe. Është i ilustruar
bardhë e zi nga piktorja Dolli Gjinali, e cila ka
bërë dhe kopertinën me ngjyra.
Për vlerat e mirëfillta artistike, gjuhësore dhe edukative, ky vëllim
ka fituar çmimin e dytë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë për Fëmijë të vitit 1987.
Përrallat janë shkruar për moshën e nxënësve të shkollës fillore. Personazhet kryesore që zotërojnë janë kafshë,
si ujku, elefanti, gjirafa, lepuri, pelikani, macja etj. Përmes bëmave dhe instinkteve
të tyre shtjellohen ide morale me vlerë për edukimin e fëmijëve. Fitorja
e së mirës mbi të keqen, është boshti kryesor që përshkon anën edukative të përrallave.
Kjo ide del edhe më e qartë në përrallat që kanë personazh njerëz. Kështu, për shembull, në përrallën që hap vëllimin
“E mirë fuqia, e mirë dhe urtia” del në pah se vetëm me anën e fuqisë nuk arrin dot të bësh as punë të vogla e
as të mëdha, po qe se me fuqinë nuk bashkohet dhe zgjuarsia, dituria, përvoja. Ideja e zgjuarsisë dhe e mençurisë popullore del edhe në përrallën “Xhuxhum Gjudurumi dhe qerosi”.
Në disa nga përrallat fshikullohen veset e këqija, si gënjeshtra, grykësia, mendjemadhësia , mendjelehtësia etj.
Në tërësi, vëllimi është një ndihmesë me vlerë në lëvrimin e letërsisë për fëmijë.
Tiranë, gusht 2006